Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për arrestimin e një 65-vjeçari, i cili dyshohet për përfshirje në rastin e rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnjë.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e saj se personi i arrestuar është Brahim Demiri, babai i 27-vjeçarit të ndjerë dhe gjyshi i foshnjës.

I dyshuari është arrestuar pas hetimeve fillestare të Policisë së Kosovës, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Siç raportoi më herët Sinjali, 27-vjeçari është identifikuar si Adonis Demiri, ndërsa foshnja e gjetur pa shenja jete ishte e gjinisë femërore.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vajzën e vogël.

Rasti ishte raportuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku ishte konstatuar vdekja e dy personave.

Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar.