Seanca e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës kishte përfunduar, por një incident i raportuar pas saj ka përfunduar në duart e Policisë. Dardane Sogojeva Shala ka denoncuar se është kanosur nga Rilind Berisha, ndërsa hetuesit kanë intervistuar tre dëshmitarë për të sqaruar rrethanat e rastit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 30 tetor, pas përfundimit të seancës së Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, më 31 tetor, rreth orës 16:00, Sogojeva Shala është paraqitur në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, ku ka denoncuar Rilind Berishën për kanosje.

Hetuesit policorë kanë intervistuar tre persona në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa Berisha është marrë në pyetje si i dyshuar, në praninë e avokatit të tij. Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Pas raportimit të Sinjalit, Gazeta ka kontaktuar Dardane Sogojeva Shalën, e cila ka konfirmuar se qëndron prapa deklarimit të saj publik lidhur me rastin.

“Rasti për të cilin kam folur në deklarimin tim publik qëndron. Prokurori e ka cilësuar si vepër penale të kanosjes dhe mbrëmë ka vendosur lirimin e personit të cilin e kam denoncuar”, ka deklaruar ajo për Sinjalin.

Ajo ka ngritur edhe shqetësimin për mundësinë e ndikimit politik në këtë rast, duke theksuar se avokati i të dyshuarit është vëllai i kryetarit të komunës, ndërsa personi i denoncuar është këshilltar i vetë kryetarit.

“Duke qenë se avokat i tij ishte vëllai i kryetarit të komunës, ndërsa personi i apostrofuar është këshilltar i vetë kryetarit, nuk dua as të mendoj se ky rast mund të ndikohet nga politika. Megjithatë, mbetem me shpresë se institucionet janë të pavarura dhe do ta kryejnë punën e tyre në përputhje të plotë me ligjin”, ka thënë Sogojeva Shala.

Rasti është iniciuar nën dyshimin për veprën penale “Kanosja”, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë plotësisht rrethanat e incidentit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.