Bordi i Paqes ka vlerësuar angazhimin e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), duke e cilësuar kontributin e saj si të rëndësishëm për misionin në Gaza.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Bordi i Paqes bëri të ditur se përfaqësuesit e Kosovës, ISF-së, Bordit të Paqes dhe Grupit Punues për Gazën kanë finalizuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë forcë.
Sipas Bordit, angazhimi i Kosovës pasqyron përkushtimin e saj ndaj misionit të ISF-së dhe mbështet objektivat e Planit 20-Pikësh të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump.
Vlerësimi i Bordit lidhet edhe me punën që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë në kuadër të misionit. Ata janë të angazhuar në selinë e ISF-së që nga fillimi i pranverës, ku kanë kontribuar në planifikimin logjistik, çështjet civile dhe operacionet për pastrimin e mjeteve të pashpërthyera.
Bordi i Paqes theksoi se ky kontribut është i rëndësishëm për funksionimin e misionit dhe për krijimin e kushteve të sigurisë që do të mundësonin rindërtimin e Gazës.
Në reagimin e tij, Bordi i Paqes dhe ISF-ja shprehën mirënjohje ndaj Kosovës për angazhimin në përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme.