Gazeta Sinjali ka raportuar sot për arrestimin e një personi në Podujevë, nën dyshimin se po paketonte marihuanë me qëllim të shitjes, ndërsa tashmë Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin, ku janë sekuestruar substanca të dyshuara narkotike dhe një armë zjarri.

Sipas njoftimit të Policisë, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Podujevë, pas një pune operative, ka kontrolluar një objekt të pashfrytëzuar, ku ka gjetur dhe sekuestruar marihuanë, kokainë, cigare të mbushura me substancë të dyshuar narkotike, cigare elektronike dhe një peshore digjitale.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë sekuestruar edhe një pistoletë me karikator dhe fishekë.

Në lidhje me rastin, një person është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet për veprat penale që lidhen me narkotikët dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.