Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 12 objekte ndërtimi në Komunën e Rahovecit, pasi gjatë inspektimeve ka konstatuar parregullsi në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve në terren janë evidentuar shkelje të kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në disa kantiere ndërtimi.

Për këtë arsye, është vendosur që punimet në 12 objektet të ndërpriten deri në eliminimin e parregullsive dhe përmbushjen e kushteve të kërkuara me ligj.

Inspektorati ka bërë të ditur se kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim parandalimin e rreziqeve në vendet e punës dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme për punëtorët.