Një rast i dhunës në familje është raportuar pasditen e 16 shtatorit në fshatin Gadime e Epërme të Lipjanit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 17:40, ndërsa ngjarja dyshohet se kishte ndodhur pak minuta më herët.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima, B.R., 24-vjeçare, ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, G.R., 26-vjeçar, kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe më pas e kanë shoqëruar viktimën në stacion policor për deklarim.
24-vjeçarja nuk ka pranuar trajtim mjekësor.
Në trajtimin e rastit janë përfshirë edhe Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje dhe Qendra për Punë Sociale.
Pas konsultimit me Prokuroren kujdestare është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”, ndërsa procedura do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.
Me pëlqimin e saj, viktima është larguar nga banesa dhe ka shkuar te prindërit në fshatin Gadime e Ulët.