Një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve në Vushtrri ka përfunduar me një denoncim për kërcënim me jetë, kontroll policor në banesë dhe arrestimin e bashkëshortit. Gruaja ka deklaruar se i shoqi e kishte kërcënuar se do ta vriste, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur 30 fishekë të dyshuar për armë me gaz. Pas ngjarjes, ajo ka kërkuar strehim dhe është vendosur nën mbrojtje.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur të hënën, më 2 nëntor, rreth orës 11:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Vushtrri.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima, e identifikuar me inicialet A.V. (33), ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, B.M. (38), ky i fundit e kishte kanosur me vrasje.

Kërcënimi i denoncuar ka bërë që rasti të trajtohet nga njësia për hetimin e dhunës në familje, ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Shtetit është kryer kontroll në banesën e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë gjetur 30 fishekë të kalibrit 9 mm PAK, për të cilët dyshohet se janë municion për armë me gaz.

Pas kësaj, 38-vjeçari është arrestuar dhe është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Gruaja kërkon strehim, ndërmerren masa mbrojtëse

Ndërkohë, gruaja ka shprehur dëshirën që të largohet nga ambienti familjar dhe të vendoset në strehimore, ku është dërguar për sigurinë e saj.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, në kuadër të rastit është lëshuar edhe një urdhër mbrojtës për viktimën.

Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, ndaj bashkëshortit të dyshuar është caktuar ndalimi për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat, përfshirë natyrën dhe statusin ligjor të municionit të gjetur.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.