Grabitja e dhunshme e një shtetaseje braziliane në Pejë, për të cilën Gazeta Sinjali raportoi më herët, ka përfunduar me arrestimin e tre të rinjve. Hetuesit kanë arritur t’i identifikojnë të dyshuarit, ndërsa gjatë hetimeve kanë zbuluar edhe se ku përfundoi një pjesë e parave dhe sendeve të marra nga viktima. Njëri prej tyre ka deklaruar se me pjesën e tij të parave kishte blerë një varëse “Pandora”, ndërsa te një tjetër është gjetur telefoni i grabitur, tashmë i dëmtuar.

Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht emrat e tre personave të arrestuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ledion Qereti 19 vjeçar, Nart Beka 18 vjeçar dhe Endi Devolli 18 vjeçar, të cilët janë arrestuar më 2 nëntor, rreth orës 17:30, pas veprimeve intensive hetimore.

Siç raportoi më herët Sinjali, grabitja kishte ndodhur më 2 nëntor, rreth orës 01:10, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Pejë.

Viktima, një shtetase braziliane 24-vjeçare, kishte raportuar se tre të rinjtë fillimisht e kishin takuar në rrugë dhe i kishin kërkuar numrin e telefonit.

Më vonë, njëri prej tyre kishte shkuar në banesën e saj, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kishin hyrë me forcë.

Gruaja kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht dhe se i ishin marrë 800 euro, një telefon iPhone 17 Pro Max dhe sende të tjera personale.

Me pjesën e parave të grabitura bleu varëse “Pandora”

Hollësitë e reja që ka siguruar Sinjali zbulojnë edhe çfarë dyshohet se ndodhi me paratë pas grabitjes.

Gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, njëri prej të dyshuarve ka deklaruar se nga paratë e grabitura i kishin takuar 280 euro.

Prej tyre, 106 euro i kishte shpenzuar për blerjen e një varëseje “Pandora”, ndërsa pjesën tjetër e kishte shpenzuar.

Por hetuesit kanë arritur të gjejnë edhe para dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin viktimës.

Gjenden 455 euro, mbushësi i telefonit dhe iPhone-i i dëmtuar

Te i dyshuari i dytë janë sekuestruar 265 euro para të gatshme, për të cilat dyshohet se janë pjesë e shumës së grabitur.

Atij i është gjetur edhe një mbushës telefoni i markës “Power Up”, që dyshohet se ishte marrë gjatë grabitjes.

Ndërkaq, te i dyshuari i tretë është gjetur telefoni iPhone 17 Pro Max, ngjyrë hiri, i raportuar si i grabitur, por tashmë i dëmtuar.

Nga i njëjti janë sekuestruar edhe 190 euro, të cilat dyshohet se kanë prejardhje nga grabitja.

Tre të arrestuar, ndalohen për 48 orë

Pas identifikimit dhe arrestimit, të tre të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.

Me vendim të Prokurorisë së Shtetit, Ledion Qereti, Nart Beka dhe Endi Devolli janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e grabitjes, rolin e secilit prej të dyshuarve dhe fatin e sendeve të tjera të raportuara si të marra.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.