Dogana e Kosovës ka ndaluar për kontroll një udhëtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të cilit gjatë kontrollit fizik të bagazhit i janë gjetur tetë telefona të mençur të markës iPhone 18, të padeklaruar pranë autoriteteve doganore.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 18 shtator 2026, gjatë kontrolleve rutinore dhe atyre të bazuara në analizën e rrezikut ndaj udhëtarëve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës.

Udhëtari ishte ndaluar për kontroll pas kalimit të bagazhit nëpër skaner, ndërsa dyshimet e zyrtarit doganor kanë çuar në ekzaminimin fizik të tij.

Gjatë kontrollit janë gjetur tetë telefona iPhone 18, me vlerë të përgjithshme rreth 15 mijë euro.

Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave doganore, përfshirë përcaktimin e statusit doganor dhe detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana ka rikujtuar se, sipas Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, mallrat e bartura nga udhëtarët duhet të deklarohen kur tejkalojnë kufijtë e lejuar ose kur kanë natyrë tregtare.

Ndërkaq, lirimi për bagazhin personal vlen vetëm për importe që nuk kanë natyrë tregtare. Në përcaktimin e karakterit jo-tregtar të importit merren parasysh natyra dhe sasia e mallrave.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim të parandalimit të shkeljeve doganore, mbrojtjes së interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe zbatimit të legjislacionit doganor.