Një përleshje fizike është raportuar pasditen e së shtunës në Podujevë, ku një i ri dyshohet se është sulmuar nga dy persona, të cilët e kanë goditur me duar, duke i shkaktuar lëndime trupore. Rasti ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e dy të dyshuarve për 48 orë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuarit janë Kastriot Vllasa, 27 vjeçar, dhe Alban Vllasa, 34 vjeçar, ndërsa viktima është G.F, 23 vjeçar

Ngjarja ka ndodhur më 24 tetor 2026, rreth orës 17:45, në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Podujevë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia është njoftuar për incidentin rreth orës 17:50, ndërsa gjatë deklarimit, 23-vjeçari ka raportuar se ishte goditur nga dy të dyshuarit.

Si pasojë e sulmit të raportuar, Fazliu ka kërkuar dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet për trajtimin e rastit, ndërsa dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas përfundimit të intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë Themelore, është marrë vendim që Kastriot dhe Alban Vllasa të ndalohen për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa rrethanat që çuan deri te incidenti mbeten objekt i hetimeve.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.