Pas më shumë se një viti hetimesh për një varg mashtrimesh të dyshuara në rajonin e Prizrenit, një 36-vjeçar është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë. Ai dyshohet se kishte krijuar profile të rreme në rrjete sociale dhe kishte shfrytëzuar aplikacionet Viber e WhatsApp për t’u prezantuar me identitete të tjera, përfshirë edhe atë të personave zyrtarë, me qëllim përfitimin e parave nga qytetarët, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Edon Bytyqin, 36 vjeçar, i cili u ekstradua nga Gjermania të premten, më 23 tetor 2026, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren – Dega në Suharekë.

Por, si dyshohet se funksiononte skema e mashtrimit dhe si arritën hetuesit deri te identifikimi i tij?

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Bytyqi dyshohet se gjatë periudhave të ndryshme të viteve 2023–2025 kishte kontaktuar qytetarë përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të komunikimit, duke përdorur emra dhe identitete të personave të tjerë.

Në disa raste, ai dyshohet se ishte prezantuar si person zyrtar, ndërsa viktimave u kërkonte para kinse për ndihmë financiare apo për kryerjen e favoreve të ndryshme, përfshirë edhe ndërhyrje në interes të personave që kishin probleme me ligjin.

Përmes kësaj mënyre veprimi, 36-vjeçari dyshohet se kishte përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm.

Në mesin e personave të evidentuar si viktima në këtë rast janë F.S, H.G, Sh.M, L.Q, F.A, S.Q, L.B, N.K dhe V.Th.

Një nga detajet që ka ndihmuar në zbardhjen e rastit lidhet me destinacionin e parave të dërguara nga viktimat.

Hetuesit kanë konstatuar se mjetet financiare që qytetarët kishin transferuar përmes institucioneve financiare, duke besuar se po ofronin ndihmë apo po paguanin për favore të caktuara, ishin tërhequr nga llogari bankare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kjo pistë i kishte shtyrë hetuesit të kërkonin bashkëpunim ndërkombëtar për identifikimin e personave që kishin tërhequr paratë dhe atyre që përdornin numrat e telefonit përmes të cilëve kontaktoheshin viktimat.

Përmes Njësisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatimin e Ligjit (ILECU), autoriteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës u ishte kërkuar asistencë për sigurimin e këtyre informacioneve.

Veprimet hetimore kanë rezultuar me identifikimin e Edon Bytyqit si person të dyshuar, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.

Sinjali mëson se Bytyqi dyshohet edhe për një numër rastesh të tjera të natyrës së njëjtë ose të ngjashme në rajonin e Prizrenit.

Ekstradimi i tij është realizuar më 23 tetor, rreth orës 20:20, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u është dorëzuar autoriteteve kosovare.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti po hetohet për veprat penale “Prezantimi i rremë si person zyrtar” dhe “Mashtrimi”, ndërsa hetimet për rastet e tjera me të cilat dyshohet se lidhet 36-vjeçari janë duke vazhduar.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.