Dy prona të biznesmenit Ramiz Kelmendi në Pejë janë sulmuar me mjete ndezëse, që dyshohet se janë Molotov, gjatë mëngjesit të sotëm.
Rasti i parë është raportuar rreth orës 04:50 në fshatin Zahaq. Sipas dëshmitarit, nga një veturë në lëvizje janë hedhur mjete ndezëse, pas së cilës personat e dyshuar janë larguar në drejtim të panjohur.
Rreth orës 08:55, një tjetër rast është raportuar në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku në oborrin e një shtëpie private janë hedhur mjete ndezëse.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Sipas policisë, në të dyja rastet nuk ka persona të lënduar dhe nuk janë raportuar dëme materiale.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rasteve.