Dy raste të vdekjes janë raportuar gjatë ditës së 11 shtatorit në Fushë Kosovë dhe Novobërdë, ndërsa Policia e Kosovës i ka cilësuar rastet si “Hetim mbi vdekjen”.
Në Fushë Kosovë, rasti është raportuar më 11 shtator rreth orës 19:57. Policia është njoftuar se një grua, shtetase kosovare, ishte gjetur e shtrirë në tokë.
Njësitë relevante të Policisë, së bashku me ekipet mjekësore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.
Me vendim të organeve kompetente, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për procedurat e mëtejshme.
Ndërkaq, një rast tjetër është raportuar në Novobërdë në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 05:30.
Sipas raportit, një grua, shtetase kosovare, është dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e saj.
Në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i është liruar familjarëve.
Policia ka nisur procedurat përkatëse për të dyja rastet, të cilat janë regjistruar si “Hetim mbi vdekjen”.