Një ngjarje e rëndë dhe ende e paqartë ka ndodhur të hënën në fshatin Baballoq të Deçanit, ku një burrë i moshuar është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore, i shtrirë në dyshemenë e shtëpisë së tij, me lëndime të shumta në trup dhe brinjë të thyera. Policia ka nisur hetimet nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima është Muharrem Ethemi, rreth 84 vjeç, i cili jetonte i vetëm në shtëpinë e tij në Baballoq.
Ngjarja është raportuar më 26 tetor 2026, rreth orës 14:40, nga një i afërm i viktimës, A. Q rreth 45 vjeç, i cili kishte shkuar për ta vizituar.
Por, kur kishte mbërritur te shtëpia, 84-vjeçari nuk i ishte përgjigjur thirrjeve.
I shqetësuar nga mungesa e reagimit, familjari kishte shikuar përmes dritares, ku kishte vërejtur të moshuarin të shtrirë në dysheme, pa rroba dhe me lëndime të dukshme në pjesë të ndryshme të trupit.
Menjëherë pas kësaj, kishin hyrë brenda shtëpisë dhe kishin njoftuar Policinë.
Në vendngjarje kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit e Stacionit Policor në Deçan, ndërsa për rastin janë njoftuar edhe njësitë rajonale të hetimeve.
I moshuari fillimisht është transportuar me autoambulancën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan drejt Spitalit Rajonal në Gjakovë.
Katër brinjë të thyera, mavijosje dhe lëndime të mëhershme
Gjendja e viktimës ka rezultuar shumë më serioze pas ekzaminimeve mjekësore.
Sipas informacioneve që mjeku kujdestar ua ka dhënë hetuesve, 84-vjeçari kishte rreth katër brinjë të thyera, lëndime të tjera trupore dhe mavijosje që dyshohej se ishin shkaktuar më herët.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe rrezikut për jetë, ai është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, për trajtim të specializuar.
Rrethanat se si i moshuari i ka pësuar këto lëndime mbeten të paqarta.
Ende nuk dihet nëse 84-vjeçari është sulmuar fizikisht nga ndonjë person, kur janë shkaktuar lëndimet dhe sa kohë kishte qëndruar i shtrirë pa ndihmë.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Deri më tani nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa gjendja e rëndë shëndetësore e viktimës e bën rastin veçanërisht shqetësues.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja lidhur me këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.