Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në një objekt fetar ortodoks në Lipjan, ku dy fëmijë të mitur dyshohet se kanë marrë para dhe një thikë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 2 tetor, rreth orës 08:20, në rrugën “Shën Flori”.

Njësia e hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me përgjegjësin e kishës, J. M, i cili ka njoftuar Policinë për atë që kishte ndodhur.

Pas shikimit të kamerave të sigurisë, është vërejtur se një ditë më herët, më 1 tetor rreth orës 17:00, dy fëmijë të mitur kishin hyrë në objekt pa kaluar ndonjë pengesë fizike.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga objekti janë marrë 50 euro para të gatshme dhe një thikë.

Për shkak se personat e dyshuar janë të mitur, Sinjali nuk publikon identitetin e tyre dhe as të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tyre.

Pas intervistimit të ankuesit është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin e plotë të të miturve dhe sqarimin e rrethanave të rastit po vazhdojnë.