Një përleshje fizike është raportuar mëngjesin e 2 tetorit në zonën Rudnik–Cërrnac të Leposaviqit, ku një 23-vjeçar ka pësuar lëndime në fytyrë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 06:50, viktima, A.N, është paraqitur në Stacionin Policor në Leposaviq dhe ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga Miroslav Čuković.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, para përleshjes mes tyre kishte pasur fyerje të ndërsjella, ndërsa më pas situata ka eskaluar dhe i dyshuari dyshohet se e ka goditur viktimën me dorë në fytyrë.

Si pasojë, 23-vjeçari ka pësuar lëndime në pjesën e hundës.

Ai fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit, ndërsa më pas në spital në Mitrovicë të Veriut për ekzaminime të mëtejshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit, ndërsa i dyshuari më pas është paraqitur vullnetarisht në stacion policor.

Ai është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa është marrë deklaratë edhe nga një dëshmitar okular.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Lëndim të lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.