Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka deklaruar se gjërat e dyshimta të gjetura në bodrumin e ish-Shkollës Teknike dyshohet se lidhen me një tentim për kultivimin e substancave narkotike.
Ai ka thënë se, bazuar në informacionet e marra nga zyrtarët policorë dhe njësia e antidrogës, në këtë hapësirë mund të jetë tentuar kultivimi i narkotikëve, por ende nuk dihet lloji i substancave.
“Sipas policëve dhe antidrogës, shihet se është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike, por nuk dihet se çfarë substancash. Prokuroria dhe Policia e kanë rastin në dorë”, ka deklaruar Thaçi.
Kryetari i Obiliqit ka mohuar pretendimet se në këtë lokacion mund të ketë varrezë masive, duke thënë se aktualisht nuk ekziston ndonjë dyshim i tillë.
“Sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë dhe, siç ma ka konfirmuar edhe Policia, për momentin nuk ka ndonjë dyshim”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, gjërat e dyshimta u zbuluan gjatë pastrimit të objektit nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti”. Punëtorët e ndërprenë punën dhe e njoftuan menjëherë Policinë.
Ai ka bërë të ditur se rreth dy muaj më parë, në të njëjtën zonë, ishte zbuluar edhe një ambulancë e fshehur, e cila dyshohet se ishte përdorur nga strukturat paralele serbe. Për këtë rast, sipas tij, ishin njoftuar Policia dhe Prokuroria.
Thaçi ka thënë se ish-Shkolla Teknike, e cila nuk ishte përdorur për mësim nga viti 1990, do të pastrohet dhe do t’i rikthehet funksionit të saj të mëparshëm.