Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar nga organet e drejtësisë në Gjakovë, ndaj të cilit ishte aktive një urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Edon Berishën, 24-vjeçar nga fshati Rogovë i Gjakovës, i cili është arrestuar të premten, më 23 tetor 2026, rreth orës 10:05.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Berisha ishte në kërkim në bazë të një urdhërese aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec.
Pas lokalizimit dhe arrestimit të tij, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e urdhëresës gjyqësore.
24-vjeçari është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku do të vuajë dënimin me burg prej 120 ditësh.
Në informacionet e siguruara nga Sinjali nuk është specifikuar vepra penale për të cilën Berisha është dënuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.