Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e 33-vjeçarit që ka marrë përsipër pronësinë e një milion eurove të sekuestruara në pikën kufitare të Merdarës, tetë muaj më parë.

Bëhet fjalë për Fatlind Akifin, i cili më 23 tetor është paraqitur në Prokurorinë Speciale, duke deklaruar se e gjithë shuma i përket atij, por që, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e parave.

Por, si nisi e gjithë kjo histori?

Më 24 shkurt 2026, në pikën kufitare të Merdarës, gjatë kontrollit të një automjeti Mercedes Sprinter, me ngjyrë të bardhë dhe targa të Shqipërisë, në të cilin ndodheshin tre persona, zyrtarët zbuluan një hapësirë të modifikuar brenda automjetit.

Kontrolli më i detajuar nxori në pah një shumë marramendëse parash – plot një milion euro, të fshehura në atë hapësirë.

Paratë u sekuestruan, ndërsa rasti iu kalua hetuesve të krimeve ekonomike, të cilët, me autorizim të Prokurorisë Speciale, nisën hetimet për dyshimet lidhur me prejardhjen dhe transportimin e tyre.

Tetë muaj më vonë, në këtë rast doli në skenë edhe Fatlind Akifi.

Siç mëson Sinjali, gjatë intervistimit më 23 tetor, në prani të avokatit mbrojtës, Akifi deklaroi se shuma prej një milion eurosh i përket atij.

Megjithatë, sipas informacioneve nga hetimet, 33-vjeçari nuk arriti të dëshmojë prejardhjen e mjeteve financiare dhe as të sqarojë lidhjen e tij me tre personat që i kishin transportuar paratë përmes Merdarës.

Pas intervistimit nga prokurori dhe hetuesit e rastit, ndaj Akifit u nxor vendim për ndalim prej 48 orësh.

Rasti po hetohet për veprat penale “Shpëlarja e parasë” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Hetimet për prejardhjen e një milion eurove dhe rrethanat e transportimit të tyre janë ende në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.