Një rast i dyshuar i futjes së narkotikëve në Qendrën Korrektuese në Dubravë është duke u hetuar nga njësitet përkatëse.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është pranuar nga njësiti për hetimin e trafikimit me narkotikë në Pejë më 13 tetor, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 10 tetor, rreth orës 02:35.
Sipas dyshimeve fillestare, një person apo disa persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur nga pjesa e jashtme e qendrës një sasi të substancës së dyshuar narkotike në brendësi të saj.
Substanca është gjetur në hapësirat e pavijonit 6, ndërsa pesha e përgjithshme bruto ka rezultuar në 87 gramë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar lidhur me cilësimin juridik të rastit.
Rasti është iniciuar në drejtim të veprës “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë hedhur substancën brenda hapësirave të qendrës.