Një kontroll policor i një veture në territorin e Graçanicës ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete dhe inicimin e rastit penal ndaj një 32-vjeçari, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Leutrim Basha, rreth 32-vjeçar, nga Sllapuzhani i Prizrenit.
Rasti ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 19:30, në Llapnasellë/Livadje të Graçanicës, gjatë një kontrolli të personave dhe automjeteve nga njësitet policore.
Policia ka ndaluar një Jeep WK, ngjyrë të zezë, të cilin po e drejtonte Basha.
Gjatë kontrollit, policët i kanë gjetur 32-vjeçarit në një çantë që mbante në brez një pistoletë CZ të prodhimit çek, së bashku me një karikator me 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Sipas informacioneve të rastit, Basha posedonte leje për posedimin e armës, por jo leje për bartjen e saj.
Në vendngjarje kanë dalë patrulla e Stacionit Policor të Graçanicës dhe njësia e hetimeve, ndërsa arma është sekuestruar dhe i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas procedurave policore, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.