Një rast i rëndë i dhunës në familje ndaj një të miture është raportuar në Pejë, ku viktima ka deklaruar se për një periudhë të vazhdueshme ka përjetuar dhunë fizike dhe psikike nga nëna dhe njerku i saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se e mitura është paraqitur në Polici e shoqëruar nga një person tjetër, ku ka denoncuar dhunën që pretendon se është ushtruar ndaj saj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, te viktima janë konstatuar lëndime të dukshme trupore, për çka ajo është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa dokumentacioni mjekësor i është bashkëngjitur rastit.
Për shkak të moshës dhe rrethanave të rastit, e mitura është vendosur fillimisht në strehimore, ndërsa më pas është intervistuar nga hetuesit dhe ka dhënë deklaratën e saj lidhur me dhunën e pretenduar.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arrestuar nënën dhe njerkun e viktimës, të cilët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa e mitura vazhdon të qëndrojë në strehimore.
Sinjali nuk publikon identitetin e viktimës dhe të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e saj, për shkak se bëhet fjalë për të mitur.