Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh me raste të shumta policore, nga mashtrimet me kartela bankare e vjedhjet e rënda, deri te aksionet për narkotikë dhe sulmet fizike.

Në Prishtinë, hetimet për një skemë mashtrimi përmes SMS-ve kanë vazhduar me kontrolle të reja, ndërsa në Podujevë është arrestuar një person i dënuar me 100 ditë burgim. Në Gjakovë, një gruaje i janë vjedhur një armë dhe syze të markës “Louis Vuitton”, kurse në Prizren një e mitur dyshohet se ka vjedhur produkte në market.

Në Ferizaj dhe Suharekë janë zhvilluar aksione policore ku janë sekuestruar substanca të dyshuara narkotike, para dhe sende të tjera. Ndërkohë, në Konviktet Studentore në Prishtinë është sulmuar një punëtor sigurimi, ndërsa në Mitrovicë të Veriut është raportuar një rast i lëndimit të lehtë trupor.

Sinjali ju sjell përmbledhjen e 24-orëshit.

Prizren – Hetimet për mashtrimet me SMS vazhdojnë, gjenden SIM-kartela të dyshuara

Hetuesit kanë kryer një kontroll në Prizren më 8 tetor, ku kanë sekuestruar disa SIM-kartela që dyshohet se janë përdorur në një skemë mashtrimi përmes mesazheve SMS.

Sipas burimeve të Sinjalit, qytetarët dyshohet se janë mashtruar përmes mesazheve që paraqiteshin sikur vinin nga institucione shtetërore dhe banka, me mbi 150 raste të identifikuara vetëm në rajonin e Prishtinës. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Podujevë – I dënuar me 100 ditë burgim për narkotikë, arrestohet Besart Gashi

Policia ka arrestuar Besart Gashin, ndaj të cilit ishte aktive një urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit prej 100 ditësh burgim për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Ai është arrestuar më 8 tetor, rreth orës 14:30, dhe pas arrestimit është dërguar në vuajtje të dënimit.

Gjakovë – I hyjnë në shtëpi dhe ia vjedhin armën e syzet “Louis Vuitton”

Një 56-vjeçare ka raportuar se nga shtëpia e saj në fshatin Bishtazhin të Gjakovës i janë vjedhur një armë e tipit REX ZERO 1 CP dhe një palë syze “Louis Vuitton”.

Dëmi i deklaruar arrin në rreth 2,500 euro. Policia dyshon se autorët kanë hyrë përmes dritares së dhomës së gjumit, ndërsa personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar.

Prishtinë – E mitura dyshohet se vodhi produkte në “Viva Fresh Store”, ndalohet për 24 orë

Një e mitur dyshohet se ka marrë produkte ushqimore dhe higjienike në vlerë prej rreth 23 eurosh në marketin “Viva Fresh Store”, në rrugën “Haxhi Zeka”, pa i paguar ato.

Ajo është shoqëruar në Polici dhe intervistuar në prani të avokatit dhe një zyrtareje të Qendrës për Punë Sociale. Me vendim të Prokurorit për të Mitur, është ndaluar për 24 orë.

Prizren – Ia thyejnë xhamin e veturës dhe ia marrin 1,000 euro, stoli ari e orë dore

Një person ka raportuar vjedhjen e një çante nga vetura e tij në Landovicë të Prizrenit, pasi persona të dyshuar ia kishin thyer xhamin e automjetit.

Në çantë, sipas ankuesit, kishte 1,000 euro, stoli ari dhe një orë dore me vlerë. Të dyshuarit dyshohet se janë larguar me një Audi A3 të zi me targa gjermane, ndërsa rasti po hetohet si vjedhje e rëndë.

Ferizaj – Aksion policor në shtëpinë e Blend Sadikut, sekuestrohen drogë, para dhe telefona

Policia ka kontrolluar shtëpinë dhe pronat e lidhura me Blend Sadikun në rrugën “Lekë Dukagjini” në Ferizaj, ku janë gjetur substanca të dyshuara narkotike, para të gatshme dhe pajisje të tjera.

Janë sekuestruar rreth 21.1 gramë marihuanë, 963.80 euro, 700 lekë shqiptare, tre telefona, një USB dhe një thikë. Sadiku është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet për vepra që lidhen me narkotikët.

Prishtinë – Sulmohet punëtori i sigurimit në Konvikte, dy persona ndalohen për 48 orë

Një punëtor sigurimi është sulmuar fizikisht në Konviktet Studentore në Prishtinë, pasi dy persona dyshohet se tentuan të hynin me veturë në hapësirat e qendrës dhe nuk u lejuan.

Pas një fjalosjeje, situata dyshohet se eskaloi në sulm. Për rastin janë identifikuar Altin Geci dhe Erjon Gecaj, të cilët, me vendim të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Mitrovicë e Veriut – E sulmojnë me grusht, i dyshuari rezulton nën ndikimin e alkoolit

Një person ka pësuar lëndime të lehta në këmbën dhe dorën e majtë, pas një sulmi të dyshuar fizik në rrugën “Sinan Behrami” në Mitrovicë të Veriut.

Sipas burimeve të Sinjalit, Bujar Hyseni dyshohet se e ka goditur me grusht viktimën L. E. Gjatë testimit, i dyshuari ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit, me 0.80 promilë.

Fushë Kosovë – Hajnat hyjnë në banesë përmes ballkonit, dëmi rreth 20 mijë euro

Një banesë në rrugën “Bedri Pejani” në Fushë Kosovë është cak i një vjedhjeje të rëndë, ku persona të dyshuar dyshohet se kanë hyrë përmes ballkonit duke përdorur një shkallë.

Nga banesa janë marrë një televizor, stoli, ora dore dhe rreth 3,000 euro para të gatshme. Sipas pronarit, dëmi i përgjithshëm arrin në rreth 20 mijë euro, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.

Suharekë – Aksion në dy shtëpi të vëllezërve Elezi, sekuestrohen kokainë, municion dhe para

Policia ka bastisur dy lokacione të lidhura me Edon dhe Egzon Elezin në Suharekë, ku janë gjetur substanca të dyshuara narkotike, para të gatshme, municion dhe një kartëmonedhë që dyshohet se është e falsifikuar.

Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 0.80 gramë kokainë, 1,000 euro, qese për paketim, tre fishekë dhe dy telefona. Edon Elezi është ndaluar për 48 orë, ndërsa Egzon Elezi nuk është gjetur në shtëpi. Hetimet po vazhdojnë.

Nata në Kosovë / Mashtrime, vjedhje, drogë dhe arrestime.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.