Një kontroll rutinë i Policisë në rrugën “B” në Prishtinë ka përfunduar me sekuestrimin e një sasie të kokainës dhe inicimin e një rasti penal ndaj një 34-vjeçari, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i dyshuar është Albatros Ajeti, rreth 34-vjeçar, i cili është ndaluar mbrëmë nga njësitet e NJRSH-së së Kryeqytetit.

Ngjarja ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 21:35, te rrethi i Farmedit, në rrugën “B”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njësitet policore po qëndronin në një pikë kontrolli kur kanë ndaluar veturën që drejtohej nga Ajeti.

Gjatë verifikimit të të dhënave, policët kanë konstatuar se 34-vjeçari e kishte patentë-shoferin të konfiskuar.

Por kontrolli nuk ka përfunduar aty.

Gjatë kontrollimit të automjetit, Policia ka gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike, e cila dyshohet të jetë kokainë, me peshë 3.64 gramë.

Substanca është sekuestruar, ndërsa Ajeti është shoqëruar për intervistim.

Sipas të dhënave të rastit, gjatë intervistimit ai ka deklaruar se është përdorues i substancave narkotike.

Në rast janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë të Antidrogës, të cilët kanë kontaktuar Prokurorin e Shtetit.

Me udhëzim të Prokurorit është iniciuar rasti për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.