Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar pak pas mesnatës në fshatin Gorozhdevc të Pejës, ku një 20-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikike.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 13 shtator, rreth orës 00:00.
Sipas deklarimit të viktimës, pas një zënke mes çiftit, bashkëshorti i saj, F. M., 26-vjeçar, fillimisht e kishte ofenduar me fjalë fyese dhe më pas dyshohet se e kishte goditur katër herë me shuplaka në fytyrë.
Pas sulmit, ai dyshohet se i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ndërsa viktima është paraqitur më pas së bashku me një dëshmitar.
20-vjeçares i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa ajo ka refuzuar strehimin dhe është kthyer në shtëpinë e prindërve.
Për rastin janë njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave.
Pas intervistimit në Njësinë e Hetimeve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për “Dhunë në familje” dhe “Sulm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.