Një rast i pazakontë është raportuar në Studime të Epërme të Vushtrrisë, ku një qytetar ka hasur në një karikator të mbushur me dhjetëra fishekë derisa po kalonte nëpër një zonë malore, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për A.G 31 vjeçar, i cili rastin e ka raportuar në Polici në cilësinë e dëshmitarit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, A.G ka deklaruar se derisa po kalonte nëpër mal, në tokë kishte gjetur një karikator me 29 fishekë.
Ai ka deklaruar se nuk ka njohuri se kujt i përket karikatori, kush mund ta ketë lënë apo humbur dhe as se kur mund të ketë përfunduar në atë lokacion.
Pas raportimit, me pëlqimin e dëshmitarit është kryer edhe një kontroll sipërfaqësor në lokacionin e tij, por nuk është gjetur asgjë tjetër e dyshimtë.
Karikatori së bashku me 29 fishekët janë sekuestruar nga Policia.
Për rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit, me udhëzimin e të cilit është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Për momentin nuk ka person të identifikuar si të dyshuar, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të zbuluar se kujt i përkisnin karikatori dhe municioni dhe si kishin përfunduar në atë zonë.