Një rast jashtëzakonisht i rëndë është denoncuar të shtunën në Lipjan, ku një nënë është paraqitur në Polici së bashku me vajzën e saj të mitur dhe ka raportuar se ajo dyshohet se ishte viktimë e dhunimit, raporton Sinjali.

Rasti është denoncuar më 29 gusht, rreth orës 19:40, në Stacionin Policor në Lipjan.

Për shkak se bëhet fjalë për një viktimë të mitur të një vepre penale kundër integritetit seksual, Sinjali nuk do të publikojë identitetin e saj dhe as të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e vajzës.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, nëna është paraqitur në stacion së bashku me të bijën dhe para zyrtarëve policorë ka deklaruar se vajza e saj dyshohet se ishte dhunuar rreth dy javë më parë.

Pas denoncimit, organet e rendit kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore, ndërsa personi ndaj të cilit janë ngritur dyshimet është siguruar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit atij i është siguruar avokat mbrojtës, në praninë e të cilit është zhvilluar procedura policore.

Për rastin është njoftuar menjëherë Prokurori kujdestar.

Pas konsultimit me Policinë dhe bazuar në informacionet fillestare të siguruara, Prokurori ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa ndaj të dyshuarit është marrë vendim për ndalim prej 48 orësh.

Hetimet pritet të vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe verifikimin e pretendimeve të raportuara.