Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur të mërkurën në takim admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, si dhe komandantin e ri të misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin Roberto Vergori.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në vend, bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare të sigurisë.

Hoxha i ka njoftuar mysafirët për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin e deritanishëm me misionin e KFOR-it.

“Gjatë këtij takimi kolonel Hoxha i njoftoi ata rreth situatës së sigurisë në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë me misionin e KFOR-it në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë takimit janë trajtuar edhe çështje të tjera me interes në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit me Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe misionin e KFOR-it në Kosovë.

“U diskutuan edhe tema të tjera me interes në fushën e sigurisë, si dhe avancimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.