Italia synon të vendosë radarë në Ballkan për të mbrojtur shtetet e rajonit dhe territorin e saj nga kërcënimet e mundshme. Kështu ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Deklarata u bë në margjinat e ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash te gjeneralmajori italian Roberto Vergori.
Crosetto theksoi se Ballkani përbën një element kyç për sigurinë e Italisë dhe se Roma do të vazhdojë angazhimin e saj në rajon, edhe në rast se KFOR-i zvogëlon praninë ose operacionet në Kosovë.
“Po e rifillojmë komandën me gjeneralin Vergori dhe këtë e bëjmë me një angazhim që do të vazhdojë edhe nëse KFOR-i i zvogëlon operacionet në Kosovë, sepse Ballkani është një komponent thelbësor i sigurisë sonë. Sigurimi i Ballkanit dhe mundësia e vendosjes së radarëve në të ardhmen, për t’i mbrojtur si këto shtete, ashtu edhe vendin tonë nga kërcënimet, janë thelbësore”, deklaroi ministri Crosetto, raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa”.
Ministri italian iu referua edhe sulmit të fundit nga rebelët Huthi në Arabinë Saudite, duke e përdorur atë si shembull të kërcënimeve me të cilat mund të përballen shtetet në të ardhmen.
“Kur mendoni se raketat që goditën aeroportet në Arabinë Saudite u prodhuan nga rebelët Huthi, e jo nga inxhinierë të sofistikuar, dhe se ato arritën shpejtësi prej 8.500 kilometrash në orë, e kuptoni natyrën e kërcënimeve me të cilat do të përballen të gjitha shtetet në të ardhmen. Kjo e thekson rëndësinë e ruajtjes së pranisë në vendet mike përgjatë kufijve, me qëllim të krijimit të një mburoje të përbashkët mbrojtëse, e aftë për t’u përballur me kërcënime të tilla”, shtoi Crosetto.
Sipas ministrit, vendosja e radarëve në Ballkan do të kontribuonte në krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtës, duke ndihmuar në zbulimin e kërcënimeve të mundshme dhe në mbrojtjen e shteteve të rajonit, si dhe të Italisë.