Një zyrtar i Policisë së Kosovës është sulmuar fizikisht brenda Stacionit Policor Qendra në Prishtinë nga një person që ishte arrestuar dhe po transportohej nga policët, mëson ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Altin Kida, 26-vjeçar.
Rasti ka ndodhur më 7 shtator, pak para mesnatës, pasi Kida ishte arrestuar në rrugën “Johan V. Hahn” dhe po transportohej me veturë zyrtare drejt stacionit policor.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë transportimit i dyshuari kishte përdorur fjalë ofenduese ndaj zyrtarëve policorë.
Situata dyshohet se ka eskaluar pas mbërritjes në Stacionin Policor Qendra. Teksa po hynte në hapësirat e stacionit, Kida dyshohet se ka refuzuar të vazhdojë tutje, ndërsa një zyrtar policor i ka kërkuar të lëvizë dhe të ulet në karrige.
Në ato momente, 26-vjeçari dyshohet se e ka goditur policin me shqelm fillimisht në këmbën e majtë dhe më pas në të djathtën.
Zyrtarët policorë kanë intervenuar dhe e kanë vënë të dyshuarin nën kontroll.
Pas incidentit, si polici i sulmuar ashtu edhe i dyshuari kanë marrë trajtim mjekësor.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.