Një aktivitet i Dastin Xhemajlit, 21-vjeçar, në rrjetet sociale ka vënë në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë, duke çuar deri te bastisja e banesës së tij në Prishtinë, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve të Sinjalit, Policia kishte siguruar informacione se i riu dyshohej se mund të posedonte armë, pasi në disa raste kishte ekspozuar armë në rrjetet sociale.
Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të martën, më 1 shtator, rreth orës 12:00, është kryer bastisje në banesën e tij në rrugën “Agim Ramadani”, në lagjen Katana.
Por ajo që Policia gjeti gjatë kontrollit ishte ndryshe nga ajo që dyshohej fillimisht.
Në banesë është gjetur një pistoletë-lodër, si dhe dy fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, të cilët janë sekuestruar nga njësia e krim-teknikës.
Xhemajli është shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës.
Sipas deklarimit të tij para hetuesve, pistoletën-lodër e kishte blerë kohë më parë dhe, siç ka pretenduar, kishte harruar se e posedonte. Për dy fishekët, 21-vjeçari ka deklaruar se i kishte gjetur në rrugë para shtatë apo tetë vjetësh.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të intervistimit, Xhemajli është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.