I dyshuari për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Sylaj Zekaj në Vitomiricë të Pejës vazhdon të jetë në arrati, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po ndërmerr veprime për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Albert Sylaj, kunati i viktimës, dyshohet se e vrau atë me sëpatë mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor, në rrugën “Man Dedushaj” në Vitomiricë.
Rasti është bërë edhe më shqetësues për shkak të zhvillimeve që i paraprinë vrasjes. Viktima kishte kërkuar ndihmë nga Policia për dhunë në familje dhe ishte kthyer në shtëpi me një patrullë policore. Rreth orës 21:10, Policia u njoftua se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Para vrasjes Arlinda i ishte drejtuar me një parashtresë urgjente kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime ndaj institucioneve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.
Në kuadër të hetimeve për vrasjen, bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, është ndaluar për 48 orë pas intervistimit nga hetuesit policorë.
Policia dhe Prokuroria po hetojnë rrethanat e rastit, ndërsa mbetet të shihet se kur do të lokalizohet dhe arrestohet i dyshuari për vrasjen e 49-vjeçares.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë t’i përcjellë zhvillimet e fundit lidhur me këtë rast.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.