Janë bërë një vit e dhjetë ditë nga vrasja e trefishtë që kishte tronditur Gjilanin, ku më 10 gusht të vitit të kaluar u vranë Selami dhe Edmron Hasani, babë e bir, si dhe Abedin Hoxha.

Si të dyshuar kryesorë për rastin janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati.

Ndërkohë, familja Shkodra ka publikuar pamje nga një vilë në pronësi të tyre në Makresh të Novobërdës, duke pretenduar se ajo është dëmtuar disa herë.

Sipas pretendimeve të familjes, për dëmtimin e pronës përgjegjës është një çift nga familja Bunjaku, ndërsa ata thonë se ky është rasti i tretë që vila sulmohet dhe dëmtohet qëllimisht.

Familja Shkodra pretendon gjithashtu se ekziston një masë gjyqësore që ua ndalon personave në fjalë afrimin pranë kësaj prone.

Lidhur me këto pretendime, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë reagim nga personat e akuzuar apo nga organet kompetente.