Një fotografi e publikuar në Facebook, ku një person shihej me një armë të gjatë në dorë dhe një armë tjetër në brez, ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë në Vushtrri.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është trajtuar më 18 shtator, rreth orës 09:20, pasi përmes aplikacionit mobil është pranuar informacioni për fotografinë e publikuar në rrjetet sociale.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, Besart Musa, 40-vjeçar, në rrugën “Enver Tahiri” në Vushtrri.

Gjatë kontrollit në shtëpi nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Për shkak të përmbajtjes dhe përshkrimit të fotografisë, lidhur me rastin është kontaktuar edhe Prokuroria Speciale. Pas sqarimit të rrethanave, kjo e fundit ka vlerësuar se deri në atë fazë nuk kishte elemente që rasti të trajtohej nga kompetenca e saj dhe ka udhëzuar që veprimet të vazhdojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

40-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri dhe është intervistuar lidhur me fotografinë.

Gjatë deklarimit, ai ka pretenduar se “armët që shihen në fotografi janë montazh”.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.