Një ndalim i një motoçiklete në Prishtinë ka marrë tjetër drejtim pasi njëri nga dy personat që ndodheshin në të dyshohet se tentoi ta fshihte çelësin nën rroba. Kontrolli që pasoi çoi në gjetjen e shtatë qeseve me substancë të dyshuar narkotike dhe më pas edhe në kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Gazmend Sylejmanin, rreth 24-vjeçar.
Rasti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 22:05, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ku një njësi policore kishte ndaluar për kontroll një motoçikletë me dy persona.
Në momentin kur Policia i ndaloi, pasagjeri dyshohet se e fshehu çelësin e motoçikletës nën rroba, veprim që u evidentua nga zyrtarët policorë.
Gjatë kontrollit trupor dhe kontrollit të bagazhit të motoçikletës, policët kanë gjetur shtatë qese të vogla me substancë të dyshuar marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 8.3 gramësh.
Substanca është sekuestruar, ndërsa rasti nuk ka përfunduar me kaq.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, Policia ka marrë autorizim për të kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën “Rrasa e Zogut” në Prishtinë.
Pas përfundimit të veprimeve policore dhe konsultimit me Prokurorin, ndaj Sylejmanit është iniciuar rasti për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
24-vjeçari, pas procedurave, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.