Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, i cili është zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.
Kontingjenti i FSK-së, i përfaqësuar nga një kompani e këmbësorisë së Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.
Pas fazave të planifikimit, koordinimit dhe trajnimit adaptues, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione të sigurisë në mbështetje të zbarkimit ajror të batalionit, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.
Sipas FSK-së, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.
Angazhimi i pjesëtarëve të FSK-së u përcoll gjatë “Observation Day” nga komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, së bashku me rreshter majorin e KFT-së, Naim Smakolli.
Vizita kishte për qëllim vëzhgimin nga afër të angazhimit, integrimit dhe performancës së pjesëtarëve të FSK-së gjatë ushtrimit.
FSK ka vlerësuar se pjesëmarrja në ushtrime të nivelit të tillë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar së bashku me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe.