Një përleshje fizike ka ndodhur brenda Qendrës Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ku një i ri ka denoncuar se është sulmuar nga tre persona të tjerë që po vuajnë dënimin në këtë institucion. Incidenti ka ndodhur në ambientet e kuzhinës, ndërsa Policia ka ndërhyrë për të sqaruar rrethanat e rastit.
Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht identitetin e personave të përfshirë. I dëmtuari është E.H, i lindur në vitin 2007, ndërsa tre të dyshuarit janë Gentrit Saliuki (2006), Aurel Uka (2008) dhe Hafir Krasniqi (2006).
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti është raportuar të dielën, më 25 tetor 2026, rreth orës 11:50, kur Policia është njoftuar për një rrahje brenda institucionit korrektues.
Njësia policore ka dalë në vendngjarje, ku ka kontaktuar me ankuesin, i cili ka deklaruar se ishte duke qëndruar në kuzhinë kur është sulmuar fizikisht nga tre persona të tjerë.
Pas identifikimit të personave të përfshirë, hetuesit kanë intervistuar edhe tre të dyshuarit për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Ende nuk dihet çfarë e shkaktoi përleshjen dhe nëse mes personave të përfshirë kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje paraprake.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Në informacionet fillestare nuk është raportuar për ndonjë masë tjetër ndaj të dyshuarve.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.