Një rast i vdekjes është raportuar mëngjesin e 6 tetorit në Shtime, pasi një burrë 74-vjeçar është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 09:20, Policia në Shtime është njoftuar nga personeli mjekësor se në këtë institucion shëndetësor ishte sjellë një person pa shenja jete.
Viktima është identifikuar si Skender Smakaj, i lindur në vitin 1952, me vendbanim në fshatin Corrolluk të Istogut.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 74-vjeçari ishte sjellë në QKMF nga disa të afërm të tij, ndërsa mjeku kujdestar ka konfirmuar se ai nuk kishte shenja jete.
Rasti lidhet me fshatin Vojnovc të Shtimes, ndërsa rrethanat në të cilat ka ndodhur vdekja ende nuk janë sqaruar.
Pas njoftimit, në QKMF kanë dalë patrulla policore dhe hetuesit, ndërsa në trajtimin e rastit është përfshirë edhe Sektori i Hetimeve Rajonale në Ferizaj.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa veprimet hetimore po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.