Nuk bëhet fjalë vetëm për një faturë me vlerë afro 50 mijë euro.

Dokumentet që ka siguruar Sinjali tregojnë se për faturën nr. 121/26, të kompanisë “E-Commerce Kosova” Sh.P.K., është hartuar edhe një konstatim zyrtar, përmes të cilit vlerësohet se shërbimet për muajin gusht 2026 janë në rregull dhe se pagesa mund të procedohet.

Dokumenti mban datën 31 gusht 2026 dhe i drejtohet Drejtorisë së Financave të Komunës së Prishtinës, përmes Drejtorisë së Administratës.

Si dërguese figuron Gëzime Pacolli, në cilësinë e menaxheres së kontratës, ndërsa dokumenti është nënshkruar edhe nga Donat Abazi, në cilësinë e mbikëqyrësit të kontratës. Fatura 121-26 – 49,498.59 (2).pdf

Në konstatim thuhet se dokumenti mbështetet në vendimin e Komunës së Prishtinës të datës 25 qershor 2025, të nënshkruar nga kryetari Përparim Rama, për menaxhimin e kontratës “Mirëmbajtja dhe pastrimi i objekteve komunale”.

Sipas dokumentit, për muajin gusht janë përllogaritur 38,103.39 euro për nevojat e Komunës së Prishtinës, 8,479.20 euro për Drejtorinë e Kulturës dhe 2,916 euro për Drejtorinë e Turizmit.

Në fund, shuma e përgjithshme arrin në 49,498.59 euro.

Por pjesa më e rëndësishme e dokumentit është konstatimi përfundimtar.

Në të thuhet se komisioni vlerëson se për faturën e muajit gusht 2026 “është gjithçka në rregull” dhe se mund të bëhet pagesa për operatorin ekonomik “E-Commerce Kosova” Sh.P.K.

Pra, dokumenti nuk mbetet në nivelin e një evidentimi teknik të punëve, por shërben si hallkë që e çon faturën drejt procedimit financiar.

Dosja përmban edhe një aktpërcjellës, po me datë 31 gusht 2026.

Edhe ky dokument i drejtohet Drejtorisë së Financave, kalon përmes Drejtorisë së Administratës dhe figuron se vjen nga Gëzime Pacolli, menaxhere. Në të specifikohet fatura nr. 121/26 e kompanisë “E-Commerce Kosova” dhe përsëritet shuma prej 49,498.59 euro. Fatura 121-26 – 49,498.59 (2).pdf

Në aktpërcjellës përmenden shërbimet e pastrimit për objektet e Komunës së Prishtinës, përfshirë ish-Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, bunkerët në Ulpianë dhe Qendrën Informuese Turistike, si dhe pastrimin e objekteve të tjera për muajin gusht.

Kjo e bën zinxhirin dokumentar relativisht të qartë.

Fatura përgatitet nga operatori ekonomik, menaxhmenti i kontratës konstaton se punët janë në rregull, dokumenti përcillet përmes Drejtorisë së Administratës dhe destinacioni përfundimtar është Drejtoria e Financave, aty ku procedohet pagesa.

Por pikërisht këtu rikthehet problemi që Sinjali ka evidentuar në dokumentacion.

Për të njëjtën faturë nr. 121/26, me të njëjtën datë, ekziston edhe një version tjetër i dokumentacionit ku shuma figuron 47,716.59 euro, pra 1,782 euro më pak. Në atë dosje figurojnë po ashtu dallime në protokollim dhe në elemente të faturimit. Fatura 121-26, 47,716.59 (2).pdf

Kjo ngre një pyetje shumë më konkrete se më parë.

Cili version i faturës ka mbërritur te Drejtoria e Financave dhe cili është proceduar për pagesë?

A është proceduar shuma prej 49,498.59 euro, për të cilën ekziston konstatimi se “gjithçka është në rregull” dhe aktpërcjellësi drejt Financave, apo shuma tjetër prej 47,716.59 euro?

Dhe, nëse të dyja kanë kaluar nëpër sistemin administrativ, pse e njëjta faturë figuron me dy vlera?

Këto janë çështje që tash kërkojnë përgjigje nga Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Financave dhe menaxhmenti i kontratës në Komunën e Prishtinës.

Dosja e parë:

Dosja e dytë: