Një kontroll policor mbrëmjen e së dielës në Prishtinë ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete Glock, municionit dhe dokumentacionit për armë, ndërsa një 26-vjeçar është shoqëruar në stacion për intervistim.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 21:30, te “Rrethi i Fontanës” në Prishtinë.
Njësitet policore, të cilat ndodheshin në një pikë kontrolli, kanë ndaluar një veturë Mercedes me targa 01, që drejtohej nga Arbër Bylykbashi, 26 vjeçar.
Gjatë kontrollit, në çantën e dorës së tij është gjetur një armë zjarri e tipit Glock, kalibër 9×19 mm, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë.
26-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Arma, karikatori dhe municioni janë sekuestruar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Bylykbashi posedonte leje për armë shenjëtarie, e cila po ashtu i është sekuestruar, por në momentin e kontrollit nuk e kishte me vete librezën që lejon daljen me armë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendim të të cilit është iniciuar procedura për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave, 26-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.