Arratisja e dy të miturve nga Qendra Korrektuese në Lipjan, aksionet kundër narkotikëve në Ferizaj e Gjakovë, kërcënimet brenda familjes në Malishevë dhe një përballje me armë në Prizren janë disa nga rastet që kanë përfunduar në duart e Policisë.

Gazeta Sinjali sjell përmbledhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në rajone të ndryshme të vendit.

Lipjan – Dy të mitur largohen nga Qendra Korrektuese

Dy të mitur janë arratisur nga Qendra Korrektuese në Lipjan, ndërsa rasti është raportuar në Polici, e cila ka nisur veprimet për lokalizimin e tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se largimi i tyre është evidentuar dhe organet e rendit janë njoftuar për rastin. Aktualisht, po punohet për gjetjen e të miturve dhe sqarimin e rrethanave në të cilat ata kanë arritur të largohen nga institucioni.

Ende nuk dihet se si është realizuar arratisja apo nëse ka pasur ndonjë lëshim në masat e sigurisë. Kërkimet për lokalizimin e tyre janë duke vazhduar.

Ferizaj – Kapen me rreth 60 gramë kokainë, mbi 6 mijë euro dhe BMW

Një aksion i antidrogës në fshatin Bibaj të Ferizajt ka përfunduar me arrestimin e dy personave nga Lipjani, pas ndalimit të një veture BMW në dalje të autostradës “Arbër Xhaferi”.

Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Sinjali, gjatë kontrollit janë gjetur dy qese me 59.3 gramë substancë të dyshuar kokainë, njëra në trupin e pasagjerit dhe tjetra nën ulësen ku ai ishte ulur.

Policia ka sekuestruar gjithashtu 6,445 euro para të gatshme, dy telefona iPhone 17 Pro Max, dy shufra metalike dhe veturën BMW.

Të dy të dyshuarit, Gzim Bajrami, rreth 35-vjeçar, dhe Urim Sadiku, rreth 24-vjeçar, janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë së Shtetit. Ata dyshohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, në bashkëkryerje.

Malishevë – “Ose ke me më vra, ose kam me të vra”: Nëna dyshohet se kërcënoi djalin

Një konflikt për trashëgiminë familjare ka përfunduar me arrestimin e një gruaje në Malishevë, e cila dyshohet se e ka kërcënuar me vrasje djalin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se mosmarrëveshja mes nënës dhe të birit ka eskaluar, ndërsa gjatë përplasjes dyshohet se ajo i ka thënë: “Ose ke me më vra, ose kam me të vra”.

Pas kërcënimit, djali e ka denoncuar rastin në Polici. E dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rrethanat e plota të rastit pritet të sqarohen gjatë procedurave hetimore.

Prizren – Prezantohej si zyrtar i AKI-së dhe kanoste me armë, ndalohet për 48 orë

Një 36-vjeçar, Mërgim Gashi, dyshohet se është prezantuar si zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe ka kanosur një person në një kafiteri në rrugën “Vesli Klark” në Prizren.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, incidenti ka ndodhur më 27 tetor, rreth orës 23:50, pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarit dhe një personi tjetër.

Gjatë përballjes, Gashi dyshohet se ka ekspozuar një armë zjarri dhe e ka kërcënuar personin, duke përfshirë në kërcënime edhe familjen e tij.

Pas veprimeve hetimore dhe një bastisjeje në shtëpinë e tij, Policia ka sekuestruar një pistoletë të prodhimit turk, dy karikatorë dhe 28 fishekë. Për armën, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, kishte leje posedimi.

Me vendim të Prokurorisë së Shtetit, Gashi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Kanosje” dhe “Prezantim i rremë”.

Gjakovë – Mbi një kilogram kokainë e dyshuar, armë automatike dhe para në pesë valuta

Një bastisje në rrugën “Fadil Nimani” në Gjakovë ka përfunduar me arrestimin e 22-vjeçarit Grenard Rrustaj dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike, armëve dhe sendeve të tjera.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjatë kontrollit, të realizuar më 27 tetor, rreth orës 12:30, janë gjetur 1,009.35 gramë substancë e dyshuar kokainë dhe 4.14 gramë substancë e dyshuar marihuanë.

Në banesë është zbuluar edhe një armë automatike, tre karikatorë dhe 64 fishekë, si dhe një peshore elektronike dhe një fletore me shënime.

Policia ka sekuestruar gjithashtu 1,175 euro, 200 franga zvicerane, një dollar amerikan, 200 lekë shqiptarë, 100 rubla ruse dhe dy telefona iPhone.

Rrustaj është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë së Shtetit. Rasti po hetohet për posedim të paautorizuar të substancave narkotike dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Skenderaj – Një person sillet pa shenja jete në QKMF, trupi dërgohet në IML

Një person ka mbërritur pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ndërsa rasti është duke u hetuar nga Policia.

Sipas raportit policor, më 28 tetor 2026, rreth orës 22:40, në rrugën “Fazli Grajqevci”, viktima mashkull kosovar është sjellë me autoambulancë në QKMF pa shenja jete. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku.

Njësitë relevante të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rrethanat e rastit mbeten nën hetim.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.