Një aksion i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka rezultuar me arrestimin e tre personave, të dyshuar për përfshirje në veprat penale “Fajdeja” dhe “Kanosja”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Bashkim Mehanollin, 44-vjeçar, Sherbim Berishën, 52-vjeçar dhe Menduart Berishën, 27-vjeçar, të cilët janë arrestuar më 23 shtator, rreth orës 17:20.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, arrestimet kanë ardhur pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë të caktuar kohore, ndërsa dyshohet se veprimtaria për të cilën po hetohen shtrihet nga viti 2021 deri në vitin 2026.
Pas arrestimit të tyre, hetuesit kanë kryer kontrolle në dy lokacione, ku janë sekuestruar tre telefona mobilë, si dhe prova të tjera materiale që konsiderohen të nevojshme për procedurën penale.
Rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.
Me vendim të Prokurorit të rastit, të tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe veprimtarisë së dyshuar po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.