Një i mitur ka mbetur i plagosur pas një sulmi të dyshuar me mjet të mprehtë në rrugën “Onufri” në Pejë. Rasti dyshohet se lidhet me një përplasje mes pjesëtarëve të familjeve Kelmendi dhe Elshani.
Rasti është raportuar rreth orës 15:50, pasi Policia është njoftuar nga emergjenca e spitalit se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të një plage që dyshohet se ishte shkaktuar nga një mjet i mprehtë.
Sipas informacioneve fillestare të Policisë, viktima, mashkull i mitur, dyshohet se është sulmuar nga një person tjetër, po ashtu i mitur.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, incidenti dyshohet se ka ndodhur mes pjesëtarëve të familjeve Kelmendi dhe Elshani në Pejë. Megjithatë, përfshirja e këtyre familjeve nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia.
Policia ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
Ende nuk janë bërë të ditura motivet e sulmit dhe gjendja aktuale shëndetësore e viktimës.