Sinjali ka mësuar detaje të reja lidhur me rastin e therjes me thikë që ndodhi pasditen e sotme në Pejë, ku një i mitur rreth 16 vjeç ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, viktima ka pësuar plagë në pjesën e barkut, pasi dyshohet se është sulmuar me një mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu i mitur me inicialet R.E.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të lokalit “Numas”, në rrugën “Onufri” në Pejë.
Rreth orës 15:50, i plagosuri ka arritur në Spitalin Rajonal të Pejës, ku ka kërkuar trajtim mjekësor për plagët e marra.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila ka konfirmuar se është njoftuar nga emergjenca e spitalit për një person që kishte kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e plagëve që dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë.
“Njësitet e nevojshme policore menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, mashkull i mitur, është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu mashkull i mitur, në rrugën ‘Onufri’ në Pejë. I dyshuari është arrestuar”, ka njoftuar Policia.
Ende nuk dihen motivet që çuan deri te sulmi, ndërsa nuk ka informacione të konfirmuara për gjendjen aktuale shëndetësore të 16-vjeçarit.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me institucionet përkatëse, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.