Një rast shqetësues është raportuar në Gjakovë, ku një 54-vjeçar është zhdukur pasi është larguar nga shtëpia, ndërsa familja dyshon se vendimi i tij lidhet me borxhet që nuk kishte mundësi t’i shlyente. Bashkëshortja dhe dy fëmijët e kanë kërkuar, por deri në momentin e raportimit nuk kanë arritur ta gjejnë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Avdi Qunin 54-vjeçar, nga rruga “Ali Ibra” në Gjakovë, i cili është larguar nga shtëpia më 13 tetor, rreth orës 07:00, dhe që atëherë nuk është kthyer.
Sipas deklarimit të bashkëshortes së tij, Dusha Quni, largimi mund të ketë lidhje me vështirësitë financiare, pasi ai kishte borxhe dhe nuk ishte në gjendje të punonte për t’i shlyer ato.
Ajo ka shprehur dyshimin se bashkëshorti mund të jetë larguar për të shmangur personat të cilëve u detyrohet para, në mënyrë që ata të mos e kërkonin në shtëpi.
Situatën e bën edhe më shqetësuese fakti se 54-vjeçari nuk ka telefon me vete, ndërsa sipas bashkëshortes nuk di as ta përdorë atë, gjë që e vështirëson kontaktimin dhe lokalizimin e tij.
Familjarët, përfshirë bashkëshorten dhe dy fëmijët, kanë bërë përpjekje për ta gjetur, por pa rezultat.
Pas denoncimit, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës “Person i zhdukur”.
Vendndodhja e Avdi Qunit mbetet e panjohur, ndërsa rasti është nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.