Lekë Nikollbibaj, asistenti i jashtëm i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se ishte kapur me 9.4 gramë marihuanë në veturë, figuron sërish në orarin e mësimit të këtij fakulteti.
Gazeta Sinjali ka siguruar dokumente të Universitetit të Prishtinës, të cilat dëshmojnë se emri i Nikollbibajt është përfshirë në orarin e ushtrimeve për vitin akademik 2026/2027.
Sipas orarit të Departamentit të Filozofisë, të datës 16 tetor 2026, Nikollbibaj është caktuar për mbajtjen e ushtrimeve në disa lëndë të programeve bachelor dhe master.
Në nivelin bachelor, ai figuron në lëndët “Logjikë deduktive”, “Filozofi e shkencës”, “Filozofi analitike” dhe “Konceptet filozofike të lirisë”.
Ndërkaq, në programin master, emri i tij është përfshirë në orarin e ushtrimeve për lëndët “Arti dhe Politika” dhe “Temat kryesore dhe metodat në Filozofi Politike”.
Por, ky nuk është dokumenti i vetëm që ka siguruar Sinjali.
Një dokument tjetër i Universitetit të Prishtinës zbulon detaje nga procedura e përzgjedhjes së Nikollbibajt për pozitën e asistentit në Fakultetin Filozofik.
Sipas këtij dokumenti, komisioni vlerësues kishte konstatuar se Nikollbibaj i plotësonte kriteret e konkursit, duke i dhënë 95.5 pikë në procesin e vlerësimit.
Kandidati tjetër në këtë proces kishte marrë 9.69 pikë.
Komisioni kishte propozuar Nikollbibajn për pozitën numër 7, e cila përfshinte lëndë nga fusha e logjikës, filozofisë analitike, filozofisë së shkencës dhe filozofisë politike.
Dokumenti i përket procedurës së konkursit të vitit 2024 dhe nuk dëshmon ndonjë emërim të ri pas rastit policor.
Kujtojmë se Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për rastin kur Nikollbibaj ishte ndaluar nga Policia, pasi gjatë kontrollit të veturës së tij dyshohej se ishin gjetur 9.4 gramë marihuanë.
Për rastin ishte njoftuar edhe prokurori kompetent.
Megjithatë, në orarin e publikuar më 16 tetor 2026, emri i Nikollbibajt vazhdon të figurojë në mesin e personave të angazhuar për mbajtjen e ushtrimeve në Fakultetin Filozofik.
Deri më tani, mbetet e paqartë nëse ndaj tij është ndërmarrë ndonjë masë disiplinore pas rastit policor, nëse angazhimi i tij ka pasur ndërprerje dhe cili është statusi aktual i çështjes në organet e drejtësisë.
Po ashtu, përfshirja e emrit të tij në orar konfirmon planifikimin e angazhimit mësimor, por jo domosdoshmërisht mbajtjen e ushtrimeve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.