Një grabitje nën kërcënimin e thikës ka ndodhur mbrëmë në një market në Prishtinë, ku cak i grabitësit ishte arka në të cilën po punonte një vajzë e mitur, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 27 gusht, rreth orës 22:00, në “Fresh Market”, në rrugën “Ndue Përlleshi”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një person ende i paidentifikuar ka hyrë në market dhe është drejtuar te arka, ku në atë moment ndodhej një 16-vjeçare.
Bazuar në deklaratën e saj dhënë para Policisë, i dyshuari ishte një burrë rreth 40-vjeçar, i veshur me rroba të zeza dhe me kapelë.
Ai dyshohet se, nën kërcënimin e thikës, e ka detyruar të miturën t’ia dorëzojë paratë nga arka.
Grabitësi ka arritur të marrë 375 euro dhe menjëherë është larguar nga marketi në drejtim të panjohur.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur kërkimet në zonë dhe përreth saj, por të dyshuarin nuk kanë arritur ta lokalizojnë.
Punëtorja e mitur është intervistuar në cilësinë e dëshmitares, në praninë e prindit kujdestar, ndërsa në cilësinë e ankuesit është intervistuar edhe pronari i marketit, A.G.
Për rastin është njoftuar Prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Grabitja”.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.