Një rast i përleshjes mes disa të rinjve është zbardhur nga hetuesit në Prishtinë, pasi dy të mitur kishin raportuar se ishin sulmuar fizikisht në një park pranë shkollës “Hoxhë Kadri Prishtina”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti kishte ndodhur më 15 shtator, rreth orës 18:00, në zonën e rrugës “12 Qershori”, ku dy të mitur, të lindur në vitin 2011, kishin deklaruar se ishin sulmuar me grushte dhe shkelma nga tre djem më të mëdhenj në moshë.
Si pasojë e sulmit, të miturit kishin pësuar lëndime trupore, ndërsa pas veprimeve hetimore janë identifikuar edhe personat e dyshuar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për Jon Dibranin, 19-vjeçar, Erion Azemin, 19-vjeçar, si dhe një të mitur të lindur në vitin 2008.
I dyshuari i mitur është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar për të Mitur, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, Dibrani dhe Azemi janë intervistuar lidhur me veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulmi”, ndërsa gjatë intervistimit kanë pranuar se më 15 shtator ishin përfshirë në përleshjen në parkun pranë shkollës.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë, në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.