Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se ekziston dyshimi se një pjesë e armatimit të gjetur dhe konfiskuar në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin-Potokut mund të jetë përdorur në rastin e vrasjes masive të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Hoxha është pyetur nga gazetarët për mundësinë e një lidhjeje mes armëve të ekspozuara gjatë konferencës për media dhe masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë, në zonën ku së fundmi janë zbuluar varreza masive dhe mbetje kockore.
Ai ka thënë se përgjigjja përfundimtare për këtë çështje mund të jepet vetëm pas ekzaminimit të armëve në laboratorë.
“Normal që këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive te rasti i Grupit të Intelektualëve, mirëpo këto mbeten për t’u verifikuar pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe të dërgohen jashtë nëse ka nevojë”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për armë ilegale, të cilat do të ekzaminohen një nga një, me qëllim që të përcaktohet nëse kanë lidhje me rastet e hetuara.
“Sidoqoftë, këto janë armë ilegale të gjitha dhe do të ekzaminohen një nga një derisa të vijmë te rezultati konkret”, ka thënë drejtori i Policisë.