Një 21-vjeçar i kërkuar nga organet e drejtësisë është arrestuar mbrëmjen e së hënës në Podujevë, pasi Policia arriti ta lokalizojë brenda lokalit të tij.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Vlerson Rrahimin rreth 21-vjeç, ndaj të cilit ishin aktive dy urdhëresa gjyqësore, përfshirë një urdhër-arrest që lidhet me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, Njësia për Parandalimin e Veprave Penale dhe Incidenteve kishte siguruar informacione përmes rrugëve operative se Rrahimi ndodhej në lokalin e tij “Sonn Caffee” në Podujevë.
Policia ka ndërhyrë rreth orës 23:00 të 17 gushtit, në rrugën “Xhemajl Mustafa”, ku ka lokalizuar dhe arrestuar 21-vjeçarin.
Ndaj tij janë realizuar dy urdhëresa.
Pas arrestimit, Rrahimi është proceduar për t’u dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku sipas urdhëresës duhet të vuajë 12 muaj burgim.
Por telashet me drejtësinë për të nuk përfundojnë këtu.
Sipas të dhënave të rastit, ndaj 21-vjeçarit ishte shqiptuar edhe gjobë në vlerë prej 13 mijë eurosh. Për shkak të mospagesës, kjo gjobë i është shndërruar në dënim me burgim prej 1 viti e 9 muajsh.
Pas përfundimit të procedurave policore, i arrestuari është proceduar për ekzekutimin e dënimit sipas urdhëresave të gjykatës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.